Një kafe letrare dhe oaz qetësie në zemër të Tiranës!
“Gjithmonë kam menduar se parajsa është një lloj librarie”, shkruante Jorge Luis Borges në tregimin e tij “Libraria e Babelit”. Të frymëzuar nga kjo ide, jemi përpjekur të krijojmë një parajsë të vogël në zemër të kryeqytetit, një oaz ku libra në gjuhë të ndryshme, kultura të larmishme dhe njerëz të shumëllojshëm të bashkëjetojnë natyrshëm me tiparet unike dhe universale që na karakterizojnë.
Librari Babel është një kafe letrare dhe qendër kulturore, ku leximi ndërthuret me bisedat, zbulimet dhe kënaqësitë e vogla të përditshmërisë. Tek ne mund të eksplorosh një përzgjedhje të larmishme titujsh në shqip dhe në gjuhë të huaja, nga klasikët e letërsisë te librat nonfiction, mangat, botimet “Albanian interest”, librat për fëmijë si dhe një sërë aksesorësh të ndryshëm.
Në Babel mund të shijosh një kafe, një pije freskuese, një gotë verë apo një ëmbëlsirë, nën shoqërinë e librave dhe gjelbërimit të pemëve që na rrethojnë. Babel i mirëpret të gjithë, pasi është hapësirë për të lexuar, për të punuar, për t’u takuar me miqtë apo thjesht për të shijuar pak kohë qetësie me veten.
Kati i dytë është konceptuar si një mjedis i ngrohtë, komod dhe me formë të rrumbullakët ku organizojmë promovime librash, takime dhe veprimtari kulturore, duke u ofruar autorëve një hapësirë ku mund të prezantojnë krijimtarinë e tyre dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me lexuesit.
Ne dëshirojmë të jemi një strehë e ngrohtë për këdo që kërkon të jetë pranë letërsisë, artit dhe kulturës.
